Fundi i “telenovelës”. Ata që panë fantazma në nënshkrimin e rinovimit të kontratës së Leo Messit me Barcelonën kanë mbetur, që nga sot, pa argumente. Argjentinasi ka firmosur zgjatjen e kontratës aktuale, duke pozuar edhe me foton përkatëse protokollare, bashkë me presidentin Josep Maria Bartomeu. Një imazh që vjen një ditë pasi “rosarino” fitoi “Këpucën e Artë” për herë të katërt dhe një ditë para transfertës së vështirë në “Mestalla”, kundër Valencias.
Barcelona ka dërguar një deklaratë në orën 12:00 të mesditës, në të cilën njoftoi papritur nënshkrimin e një përtëritje të kontratës me yllin e vet, që sipas Josep Maria Bartomeu, ishte efektive prej disa muajsh. Këtë të shtune, megjithatë, klubi dhe lojtari formalizuan një marrëveshje që siguron Barçën dhe hesht zërat që spekuluan me një dëshirë të mundshme të Leos për të ndryshuar ajrin. Messi nënshkroi deri më 30 qershor 2021. Klauzola e tij bëhet as më shumë e as më pak se 700 milionë euro, duke e bërë lëvizjen e tij drejt një klubi tjetër një mision pothuajse të pamundur, qoftë edhe për PSG-në, Manchester City dhe fuqitë e tjera të mëdha ekonomike të kontinentit të vjetër.