
Inter e kishte detyrim fitoren mbrëmjen e sotme ndaj Atalanta-s, jo vetëm se nuk arriti të fitonte ndeshjen e fundit ndaj Torinos, por edhe për të shfrytëzuar më së miri hapin fals të Juventus-it, që nuk i dihet se kur do të gabojë sërish.
Të besuarit e Spalletti-t kanë bërë detyrën ndaj miqve që kanë të njëjtat ngjyra duke fituar me rezultatin e pastër 2-0 falë dopietës fantastike të Icardi-t, i cili ka shkuar në kuotën e 13 golave.
Ishte një tjetër mbrëmje ku San Siro mbushet plotë (përveç katit të tretë), dhe tifozët kanë parë një Inter të denjë. Skuadra Zikaltër ka kontrolluar ndeshjen përgjatë gjithë 90 minutave nda Atalanta-s që mbase u ndie e pafuqishme ndaj një skuadre aq të fortë, sidomos në mbrojtje.
Gjatë pjesës së parë Berisha duhet të bënte mrekullinë ndaj Icardi-t, por pas pushimit golashënuesi argjentinas ka lëshuar dy shigjeta me kokë drejt tij duke siguruar fitoren për skuadrën e tij. Spalletti ka preferuar Santon në të majtë në vend të Nagatomo, dhe mbrojtja ishte tepër solide.
Sulmi shpërdoroi deri në momentin e golit të parë, më pas çdo gjë rrodhi natyrale. Tre pikë të rëndësishme, Inter tashmë ndodhet në vend të dytë, me vetëm dy pikë më pak se Napoli kryesues.