Napoli, ndaj Udinese luan për të thyer një tabu

Share:
Fusha e Udinese është historikisht e vështirë për skuadrën e Napolit, madje e mallkuar, pasi asnjëherë në historinë e saj, skuadra napoletane nuk ka fituar 2 herë radhazi në këtë stadium. Sot, skuadrës së trajnerit Sarri i duhet me çdo kusht fitorja, jo vetëm për të marrë sërish kreun e Serisë A, por edhe për të thyer një tabu 100-vjeçare, për të fituar për herë të parë dy herë radhazi në fushën e Udineze. Fusha e skuadrës bardhezi ka qenë gjithnjë e komplikuar për Napolin, që ka fituar vetëm 5 herë në 35 takime të luajtura aty në Serinë A (ka edhe 17 barazime e 13 humbje).

Vjet, Napoli fitoi me vështirësi 2-1 në Udine, një fitore e rëndësishme, pasi nga ai moment nisi një marshim triumfues jashtë fushe që zgjat deri më sot: Në 20 ndeshje kanë ardhur 17 fitore dhe 3 barazime. Dhe në rast se fiton edhe sot, Napoli do të vazhdojë të jetë i pathyeshëm jashtë fushe, duke korrur edhe fitoren e dytë radhazi në shtëpinë e Udinese, gjë që nuk ka ndodhur kurrë. Trajneri Sarri, për të realizuar këtë gjë ka vendosur të hedhë në fushë të gjithë titullarët, ndërsa për Udinese kjo do të jetë ndeshja e parë nën drejtimin e trajnerit të ri Massimo Oddo.