Ramos nuk ka këllqet e Bonucci-t

Share:
Derbi Madrilen nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat, aq më shumë për një nga simbolet e klubit ‘Los Blancos’ Sergio Ramos, që është kapiteni i Real Madrid, por mbrëmjen e të shtunës, edhe ai u dorëzua përballë Atletico Madrid. Në shtëpinë e re të ‘Colchoneros’, Ramos nuk ka gjetur një pritje si të ishte kapiteni i Spanjës, duke mbyllur parakohe ndeshjen, pas një shkelmi të pësuar në fytyrë nga Hernandez. Një përplasje në të cilën kapiteni mardilen theu kockën e hundës.

“Pasi mjekët e nënshtruan ndaj disa ekzaminimeve strumentale, u diagnostikua se kapiteni ka frakturuar kockën e hundës. Situata është duke nën vëzhgim”, ka njoftuar klubi madrilen në faqen zyrtare. Një dëmtim para përfundimit të pjesës së parë që detyroi qendërmbrojtësin e Los Blancos, i gjakosur të zëvendësohet në pushim të ndeshjes, madje, sipas raportimeve rrezikon edhe ndeshjen në program për të martën ndaj APOEL Nicosia, në Champions League.

Një dëmtim identik me atë të pësuar nga mbrojtësi i Italisë, Bonucci, në fillimin e takimit që azzurrët humbën në transfertë ndaj Suedisë, por me reagim krejt të kundërt. Bonucci në atë ndeshje nuk pranoi të zëvendësohej, duke luajtur deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, madje duke u aktivizuar që nga minuta e parë, ndonëse me ndihmën e maskës mbrojtëse, edhe në ndeshjen e kthimit të luajtur në Milano, e përfunduar me rezultatin 0-0, kur u shënua eliminimi i Italisë nga finalet e Botërorit Rusi 2018.